Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur pretendimet ndaj Kosovës dhe ka dërguar mesazhe për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, gjatë ceremonisë së promovimit të 130 oficerëve të rinj të Ushtrisë Serbe, të mbajtur të shtunën në kazermën “Gjeneral Jovan Mishkiviq” në Banjicë.
Në fjalimin e tij para oficerëve të rinj, Vuçiq tha se Kosova është pjesë e Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë së Zotit”, ndërsa u bëri thirrje atyre që ta mbrojnë atë që ai e quajti “shenjtëri”.
“Kosova është e jona si sipas Kushtetutës, ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit, dhe ne duhet ta kujtojmë dhe ta ruajmë këtë”, tha Vuçiq, duke përsëritur qëndrimin e Beogradit që bie ndesh me realitetin e shtetësisë së Kosovës dhe pavarësinë, të njohur nga mbi 100 shtete.
Presidenti serb pretendo se ndaj Serbisë janë krijuar “aleanca në rajon”, duke kritikuar sërish marrlveshjen ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci. Ai pretendoi se Beogradi i ka kuptuar këto mesazhe dhe se ka nisur të pajiset me armatimin më modern.
“Filluam të furnizohemi me armët më të mira”, deklaroi ai, duke theksuar se njohuritë e oficerëve të rinj do të jenë garanci për sigurinë e vendit.
Vuçiq foli edhe për investimet në ushtri, duke thënë se janë rinovuar objektet ushtarake, është rritur standardi i ushtarëve dhe se paga mesatare në ushtri tashmë është mbi 1,100 euro.
“U bëmë një ushtri shumë më e fortë. Sepse sa herë që ishim të dobët, ata erdhën të na nënshtronin dhe të na poshtëronin”, u shpreh ai.
Ceremonia u mbajt në prani të krerëve më të lartë shtetërorë e ushtarakë të Serbisë, përfshirë Patriarkun Porfirije, kryeparlamentaren Ana Brnabiq, kryeministrin Gjuro Macut, ministrin e Mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviq.







