Vuçiqi: Po kërkohet të mos e kundërshtojmë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur në seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Serbisë ku po diskutohet për Kosovën, ka thënë se pjesa më e vështirë e propozimit franko-gjerman, që po njihet tashmë si propozim evropian, është te pika e 4, ku thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Presidenti serb ka thënë se 90 për qind e asaj që është publikuar në media në lidhje me propozimin është i saktë. Ai ka thënë se e kanë publikuar nga “bashkësia ndërkombëtare”.

Vuçiqi propozoi një plan prej dhjetë pikave për politikën e Serbisë në periudhën e ardhshme. Ai tha se po raporton në seancë, pasi do që të jetë i “sinqertë me popullin serb”.

“Sot jemi dëshmitarë të një lloj lufte të tretë botërore, që do të jetë më e gjerë në muajt në vazhdim. Ky konflikt do të jetë më i vështirë dhe më i madh. Kur e kemi parasysh këtë, është e qartë se disa të vegjël nuk mund të kenë aq liri siç do të donin ata të vegjël të kenë jetë dhe vendimmarrje. Jemi nga të paktat vende që i marrim vendimet vet. Prandaj jam krenar për një Serbi të tillë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiqi ka folur se ka pasur një “ofensivë të përgjithshme politike nga Prishtina së bashku me një pjesë të aleatëve perëndimorë për të ndryshuar situatën në terren”.

Vuçiq ka thënë se Kosova nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Pas vendosjes së barrikadave, qëllimi i tyre i vetëm, pasi nuk kishin ndërmend ta zbatonin Asociacionin, është të provokojnë një konflikt, ta fusin Serbinë në konflikt me NATO-n dhe gjithë botën, e të paraqesin veten si Zelensky të Ballkanit e ne si agresorë. Se si dikush ka kërcënuar, shikoni hipokrizinë ‘të integritetit territorial të shtetit të pavarur të Kosovës’”, tha Vuçiq.

Duke iu përgjigjur opozitës Vuçiqi tha se nuk ka mundësi të ndalet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, por çështja është nëse Serbia do të qëndrojë në Këshill pas anëtarësimit të Kosovës.

Vuçiqi ka thënë se pavarësisht nëse kundërshton Serbia apo jo, “kur të vijë te votimi në Këshill të Evropës, ata do ta kenë shumicën, kundërshtuam apo jo, do ta kenë shumicën për anëtarësim në NATO, kundërshtuam apo nuk kundërshtuam në Bashkim Evropian, vendimin e marrë vetë ata”.

Vuçiq ka thënë se problemi është se Serbinë po e vënë “pranë një zgjedhje, dhe ia kanë treguar pasojat”.

Sa i përket Asociacionit, ai ka thënë se nuk duhet të jetë një “OJQ, por sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel”.

Presidenti serb ka treguar edhe një plan prej dhjetë pikave.

“Të ruajmë paqen dhe stabilitetin në çdo mënyrë dhe me çdo kusht, të përmbahemi ndaj përgjigjeve provokuese nëse nuk kërcënohen pronat dhe jeta si në vitin 2004. Do të këmbëngulim vazhdimisht në formimin e Asociacionit, e cila duhet të jetë kornizë ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë në Kosovë. Të mos mendojnë se do të ndalin ilaçet, apo si do të vijnë ushqimet, gazetat e çdo tjetër. E treta është siguria për serbët në Kosovë e M. Siguria për serbët është pjesë e pikës së paqes dhe stabilitetit dhe pikës së Asociacionit. Nën katër është një jetë më e mirë për njerëzit tanë në Kosovë, po investojmë afro 900 milionë euro”, ka thënë Vuçiq.

Aio ka thënë se ndër pikat tjera është ruajtja e “interesave jetike shtetërore e kombëtare”.

Vuçiqi ka thënë se në pikën shtatë, është se interesi i Serbisë është të qëndrojë në rrugën evropiane.

“Gënjejnë kur thonë se 43 për qind e njerëzve janë për të mbajtur rrugën evropiane, përqindja është më e vogël. Rruga evropiane do të thotë shumë gjëra për Serbinë, edhe investime edhe standarde edhe paga e pension. Ne presim që në fund të vitit rroga mesatare të kalojë 800 euro. Na duhet një rrugë, sepse sot do të ishim në një realitet tjetër. Sot jemi të rrethuar nga vendet që janë ose në NATO ose NATO është aty. Dhe një pjesë e territorit tonë është në NATO. Ku të shkojmë në rast të konfliktit, si të ruajmë këto rroga e pensione. Ne kemi bërë shumë përpjekje”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka folur edhe për kujdesin mjekësor, energjinë, ushqimin e ushtrinë.

Vuçiqi ka folur për ushtrinë duke thënë se “ajo e shpëtoi popullin serb në Kosovë , pasi e dinin se nuk do të lejojmë pogrom të ri”.

Ndërkohë Vuçiq ka thënë se do të vazhdojnë bisedimet e në pikën e dhjetë thotë se synim e ka rritjen e pagave deri në vitin 2025.

“Ne duhet t’i ndihmojmë popullin tonë në Kosovë e M., të shmangim dënimin dhe të kujdesemi për interesat jetike”, tha Vuçiq.

Vuçiqi tha se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe do të jap dorëheqje nëse duhet.

“Nëse vjen te ajo që Kosova në OKB apo jo, për mua Kushtetuta është dokument i shenjtë, kapitullimi dhe dorëzimi nuk është opsion, dhe e di se çfarë do të bëjë. Në mes qëndrimit tonë në pushtet e mandat të cilin e kam të garantuar me Kushtetutë, e di se çfarë do të bëjë, pasi nuk ka zgjedhje mes Vuçiqit e Serbisë. Serbia është e rëndësishme, e Vuçiqi jo”, ka thënë presidenti serb.