West Hami siguron Alvarezin

Mesfushori Edson Alvarez mund të konsiderohet futbollist i West Ham Unitedit, ka njoftuar “Sky Sports”.

Meksikani të martën ka përfunduar kontrollimet mjekësore dhe do të prezantohet të mërkurën me fanellën e ekipit nga Londra. 25-vjeçari do të jetë përforcimi i parë i West Hamit për edicionin e ri, ndërsa do t’i bashkohet nga skuadra e Ajaxit.

Dy skuadrat ka kohë që e kanë finalizuar marrëveshjen për Alvarezin, ndërsa Ajaxi do të përfitojë 40 milionë euro nga shitja e tij. Ai me West Hamin do të firmos kontratë pesëvjeçare dhe pritet të debutojë këtë vikend kur edhe fillon kampionati i Anglisë. Alavrez, i cili ka 69 paraqitje me Përfaqësuesen e Meksikës ishte pjesë e Ajaxit prej vitit 2019.