Xhafer Tahiri sërish kandidat i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka nominuar Xhafer Tahirin edhe për një mandat në krye të Vushtrrisë.

Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Vushtrria, ka për nderë që një kryetar si Tahiri ta vazhdojë punën e kreut të Komunës edhe për 4 vjetët e ardhshme në të mirë të të gjithë banorëve të saj.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook:

Është kënaqësi e veçantë për mua që një njeri si Xhafer Tahirin, ta nominoj edhe për një mandat në krye të Vushtrrisë.

Ai i dha kahje ndryshe zhvillimit të Komunës dhe për këtë do të kërkojë aprovimin e Kryesisë.

I njohur si një ndër lokalitetet antike dardane, Vushtrria, ka për nderë që një kryetar si Xhafa ta vazhdojë punën e kreut të Komunës edhe për 4 vjetët e ardhshme në të mirë të të gjithë banorëve të saj.

Ai ka vizion të qartë se si duhet të duket qyteti e fshatrat e Komunës nën udhëheqjen e LDK-së, i përkrahur nga të gjitha strukturat pa dallim. Për një mandat, ka siguruar kyçje në ujë për 7000 familje vushtrriase; ka krijuar Zonën Ekonomike me plot 800 vende pune; ka dhënë shembull nacional në mbledhjen e mbeturinave; ka ndërtuar 2 qerdhe e një Qendër Mjekësie; e dhjetëra projekte infrastrukturore. Xhafa e meriton përkrahjen e secilit prej nesh sepse gjatë mandatit të parë, me punën dhe përkushtimin e tij na ka bërë të gjithëve krenarë.

Xhafa +4