Xhaferi- Shentop: RMV dhe Turqia lidhen me miqësi dhe partneritet tradicional

Kryetari i Kuvendit të Madh Nacional të Turqisë, Mustafa Shentop, ka mbërritur për një vizitë dy ditore në Shkup. Ai gjatë ditës së sotme u takua me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Gjatë takimit, Shentop u zotua për intensimfikim e bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjelltë në periudhën e ardhshme.

“Shentop theksoi se Republika e Turqisë mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit dhe veçanërisht të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, ai uroi për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe është i bindur se vendi do të bëhet anëtar i Unionit brenda një periudhe të arsyeshme kohore”

Kryetari I Kuvendit turk vjen në Shkup me rastin e shënimit të Ditës së Mësimit në Gjuhën Turke. Nga Kuvendi informuan se Shentop u shpreh i kënaqur për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe theksoi se Turqia i inkurajon biznesmenët turq që të investojnë në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Turqisë ruajnë miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, ndërsa bashkëpunimi bilateral midis të dy vendeve është dinamik në të gjitha nivelet dhe veçanërisht në nivelin parlamentar.

Bashkëbiseduesit u shprehën të bindur se partneriteti afatgjatë midis të dy vendeve dhe trendi pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral edhe më tutje do të përparojnë.

Mustafa Shentop do të takohet edhe me kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski. Ai do të marrë pjesë edhe në festimet dhe aktivitetet që do të zhvillohen në Maqedoninë e Veriut në kuadër të Ditës së Arsimit në Gjuhës Turke. /shenja