Xhamajka ndalon muzikën dhe përmbajtjet që promovojnë drogën, armët e krimet

Autoriteti transmetues i Xhamajkës ka ndaluar përmbajtjen që “lavdëron aktivitetin e paligjshëm” – siç është përdorimi i drogës dhe armëve.

Rregullat e reja mbulojnë TV dhe radio, duke përfshirë muzikën, dhe listojnë tema specifike që janë jashtë kufijve, raportoi BBC-ja të enjten.

Mashtrimet, abuzimi me drogën dhe përdorimi i paligjshëm i armëve të zjarrit nuk mund të “promovohen” – dhe sharjet ose zëvendësimet “afërsisht tingëlluese” janë gjithashtu të ndaluara.

Por natyra e rreptë e ndalimit është kritikuar nga disa artistë që argumentojnë se muzika është një pasqyrim i jetës.

Vendimi ka ardhur në kohën kur në Xhamajka ka nivel të lartë të krimit dhunshëm. Në vitin 2021, kombi ishull kishte një nga normat më të larta të vrasjeve në Amerikën Latine dhe Karaibe.

Por agjencia e transmetimit thotë se përdorimi i valëve publike për të transmetuar këngë që lavdërojnë aktivitetin e paligjshëm mund të japë “përshtypjen e gabuar se kriminaliteti është një tipar i pranuar i kulturës dhe shoqërisë xhamajkane”.

Megjithatë, disa nga artistët muzikorë të Xhamajkës e kanë kritikuar këtë veprim.

“Ne nuk mund t’i ndalojmë krijuesit të këndojnë për atë që shohin rreth tyre ose për ato me të cilat u rritën”, tha Romeich, një menaxher dhe producent lokal i muzikës në një postim në Instagram. /koha