Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Xi i thotë lideres së opozitës së Tajvanit se është i bindur...

Xi i thotë lideres së opozitës së Tajvanit se është i bindur se ishulli do të bashkohet me Kinën

Presidenti kinez Xi Jinping shprehu bindjen se Tajvani do të bashkohet me territorin kontinental, ndërsa priti në Pekin lideren e opozitës tajvaneze Cheng Li-wun dhe theksoi bashkëpunimin, transmeton Anadolu.

“Bashkëkombasit në të dyja anët janë kinezë dhe ne kemi nevojë për paqe, kemi nevojë për zhvillim, kemi nevojë për komunikim dhe për bashkëpunim. Kjo është një dëshirë e përbashkët”, tha Xi, sipas “South China Morning Post”.

Ai theksoi se prirja historike se “bashkëkombasit e të dyja anëve të ngushticës do të afrohen dhe do të bashkohen nuk do të ndryshojë, kjo është një siguri e historisë dhe ne jemi plotësisht të bindur”.

Kryetarja e partisë Kuomintang (KMT) vizitoi provincën Jiangsu dhe Shangain përpara se të udhëtonte drejt kryeqytetit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Xinhua”.

Ajo u zotua për “pajtim dhe unitet” përtej Ngushticës së Tajvanit gjatë vizitës së saj në Mauzoleumin e Sun Yat-sen në Nanjing, kryeqyteti i provincës lindore Jiangsu të Kinës.

Herën e fundit që një kryetar i KMT-së u takua me presidentin kinez Xi ishte në vitin 2015, kur kryetari i atëhershëm Eric Chu u takua me të në Kinë.

Vizita shihet si një hap i rëndësishëm në dialogun dhe shkëmbimet midis KMT-së dhe Partisë Komuniste të Kinës.

Cheng u zgjodh kryetare e KMT-së në tetor të vitit 2025.

Kina e konsideron Tajvanin si “provincë të shkëputur” ndërsa Tajpei ka këmbëngulur për pavarësinë e tij që nga viti 1949.

Vizita ka marrë rëndësi pasi Xi pritet të presë muajin e ardhshëm presidentin amerikan Donald Trump.

Veçmas, lideri tajvanez William Lai Ching-te tha se kjo ditë shënon 47-vjetorin e Aktit për Marrëdhëniet me Tajvanin, “i cili ka shërbyer prej kohësh si një gur themeli për marrëdhëniet Tajvan-SHBA”.

Në një deklaratë në rrjetin social të kompanisë amerikane X, ai shprehu bindjen se “partneriteti ynë i qëndrueshëm që përfshin sigurinë, tregtinë, teknologjinë dhe më shumë, do të vazhdojë të nxisë inovacionin dhe të ndihmojë në ruajtjen e paqes rajonale”.