Yıldırım: Kundërkandidati im është duke kryesuar, e përgëzoj

Binali Yıldırım, kandidati i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në zgjedhjet për Bashkinë e Stambollit përgëzoi kundërkandidatin e tij nga Partia Republikane Popullore (CHP), Ekrem İmamoğlu, për të cilin tha se aktualisht është duke kryesuar në këtë garë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Aktualisht, kundërkandidati im Ekrem İmamoğlu është duke kryesuar. E përgëzoj dhe i uroj suksese”, tha Yıldırım në një konferencë për media në selinë e partisë së tij në Stamboll.

Yıldırım falënderoi të gjithë kontribuesit në fushatën e tij zgjedhore dhe banorët e Stambollit për, siç tha ai, mundësinë e dhënë për të prezantuar projektet dhe premtimet e tyre.

“Zgjedhje do të thotë demokraci. Këto zgjedhje treguan edhe një herë se demokracia në Turqi funksionon në mënyrën më të mirë”, deklaroi Yıldırım.

Rezultatet përfundimtare, tha Yıldırım, do të shpalosen më vonë.

Ndryshe, banorët e Stambollit sot dolën për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike në një votim të përsëritur, pasi zgjedhjet lokale të 31 marsit u anuluan nga Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK) në metropolin më të madh turk për shkak të parregullsive.

Sipas rezultateve paraprake, İmamoğlu i CHP-së kryeson me 53,86 për qind pasuar nga Yildirim me 45,23 për qind.