Zbulohet plani: Ligat nacionale, Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës do të përfundojnë në gusht

Serie A, Premierliga, La Liga dhe ligat tjera evropiane duket se do të përfundojnë në fushat e blerta.

Dilemat janë të mëdha nëse duhet rifilluar ose jo sezoni, por tashmë duket se plani për të vazhduar ndeshjet e mbetura është gati.

Skuadrat e Serie A do të kenë mundësi të stërviten që nga 4 maji, nëse vendimi i qeverisë italiane nuk ndryshon. Kjo lë shpresa që kampionati të rifillojë më 31 maj. Njësoj pritet të ndodhë edhe në vendet tjera. Por, kur do të mbyllet ky sezon?

ECA – Asociacioni i Klubeve Evropiane ka arritur marrëveshje me UEFA që sezonet të mbyllen në gusht, transmeton lajmi.net.

Sipas ‘Cadena SER’, ligat evropiane do të kompletohen para kompeticioneve të UEFA. Të gjitha ndeshjet pritet të luhen me dyert e mbyllura

Kurse, Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës mund të luhen në vende neutrale. Ndeshjet do të luhen përbrenda dy javëve, për të vendosur fituesit e kompeticioneve më të rëndësishme evropiane.

Fillimi i gushtit pritet të na njoftojë me të gjithë fituesit, kurse sezoni i ri do të fillojë në shtator.