Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë dënoi pezullimin e procesit demokratik në Tunizi

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, duke theksuar se procesi demokratik në Tunizi është pezulluar, tha se dënojnë “iniciativat që nuk kanë legjitimitet kushtetues dhe mbështetje popullore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kalın reagoi nëpërmjet llogarisë së tij të rrjetit social, në lidhje me vendimin e Presidentit të Tunizisë, Kais Saied, i cili njoftoi mbrëmë vonë se ka marrë plotësisht autoritetin ekzekutiv dhe ka pezulluar parlamentin.

“Refuzojmë pezullimin e procesit demokratik dhe injorimin e vullnetit demokratik të njerëzve në Tunizinë miqësore dhe vëllazërore. Dënojmë iniciativat që nuk kanë legjitimitet kushtetues dhe mbështetje popullore. Besojmë se demokracia e Tunizisë do të dalë më e fortë nga ky proces”, shkroi ai.