Zelandë e Re, dhjetëra policë të plagosur pas ndërhyrjes në kampin e anti-vakserëve

Autoritetet hoqën me forcë kampet e protestuesve pranë parlamentit në Wellington

Të paktën 40 pjesëtarë të policisë u plagosën në përleshjet me anti-vakserët pranë parlamentit në Wellington të Zelandës së Re, pasi policia ndërhyri ndaj kampit të ngritur për herë të parë në shumë se tre javë më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Operacioni filloi të mërkurën vonë për të pastruar hapësirën përpara parlamentit.

“Mbi 500 pjesëtarë të policisë u përfshinë në operacionin e djeshëm, 40 prej të cilëve u plagosën”, thuhet në deklaratën e policisë. “Shumica e këtyre lëndimeve ishin plagë të vogla, megjithatë, ata që u dërguan në spital pësuan lëndime serioze, por nuk kishte të tilla që kërcënonin jetën”, thuhet në deklaratë.

Që nga 7 shkurti, mbi 1.000 protestues organizuan një protestë përpara parlamentit duke kundërshtuar vaksinimin e detyrueshëm dhe kufizimet e COVID-19. Ata parkuan automjete në rrugët pranë parlamentit dhe bllokuan rrugët.

“Policia tani ka arrestuar 100 persona, prej të cilëve 11 sot, me akuza si zjarrvënie, lëndime të rënda trupore, nxitje të dhunës, vjedhje, sulm, shkelje dhe pengim”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet akuzuan protestuesit se qëlluan me gurë ndaj policëve, duke përdorur kone trafiku, shtylla dhe dru duke u shkaktuar lëndime.

Megjithatë, policia tani ka pastruar zonën dhe së shpejti do ta rihapë atë për publikun, thuhet më tej në deklaratë.

Kryeministrja Jacinda Ardern shprehu zemërimin e saj për veprimet e protestuesve, duke thënë se me keqardhje ndoqi përleshjet, të cilat përfshinin demonstruesit që i vunë zjarrin një këndi lojërash për fëmijë.

“Ky ishte një pushtim i paligjshëm, ata kishin sjellje armiqësore, të dhunshme dhe agresive gjatë gjithë pushtimit dhe sot kjo kulmoi me përdhosjen e ambientin e këtij Kuvendi. Jam absolutisht e vendosur që ne të rinovojmë këto hapësira dhe nuk do të përkufizohemi nga një akt i një grupi të vogël njerëzish”, tha kryeministrja në radion shtetërore të Zelandës së Re.

“Kjo tregon pse qeveria refuzoi të angazhohej me grupin”, shtoi ajo.

Zelanda e Re ka konfirmuar një rekord prej 22 mijë rasteve të reja ditore me variantin Omicron.

Rreth 78 për qind e popullatës së Zelandës së Re është e vaksinuar me dy doza.

Që nga fillimi i pandemisë, vendi ka raportuar më pak se 100 vdekje nga virusi në mesin e popullsisë së saj prej 5 milionë banorësh. Autoritetet vendosën kontrolle të rrepta kufitare dhe bllokime për të eliminuar shpërthimet e mëparshme.

Ardern ka thënë se ajo do të lehtësojë masat dhe kufizimet e virusit pasi të ketë kaluar vala aktuale. /aa