Zelensky ankohet se nuk po ndihmohet sa duhet nga Perëndimi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është ankuar se Perëndimi nuk është duke e ndihmuar sa mundet Ukrainën.

Zelensky ka thënë se Ukraina ende nuk ka mjaftueshëm sisteme anti-raketore moderne, e po ashtu nuk i janë ofruar aeroplanë ushtarakë.

“Për fat të keq Ukraina ende nuk ka pranuar mjaftueshëm sisteme anti-raketore nga Perëndimi. Nuk ka pranuar ende aeroplanë ushtarakë dhe nuk ka pranuar atë që mund të ofrojnë partnerët. Çdo raketë ruse që godet qytetet tona dhe çdo bombë që hidhet mbi njerëzit tanë, fëmijët tanë, vetëm sa i shton hije të zezë historisë së atyre prej të cilëve është varur vendimi. Vendimi nëse të ndihmohet Ukraina me armë moderne”, ka thënë Zelensky në një video-adresim, raporton agjencia AP.

Ai ka kritikuar kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, duke thënë se është i vetmi që e përkrah haptazi presidentin rus Vladimir Putin.

“Dua të kthehem te një person, që nuk duket se e kupton plotësisht se çfarë po ndodh jo vetëm në Ukrainë por gjithë Evropën, te kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Ai është i vetmi në Evropë që e përkrah haptazi Putinin”, ka thënë Zelensky. /koha