Zelensky kritikon Perëndimin për mosdhënien e mbështetjes së mjaftueshme për Ukrainën

“Shteti dhe ushtria ruse janë fajtorë për vdekjen e njerëzve në sulmet ajrore ndaj Ukrainës. Por, për këtë përgjegjës janë edhe fuqitë perëndimore të cilat nuk arritën të marrin vendim për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit”, tha Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se shteti dhe ushtria ruse janë fajtorë për vdekjen e njerëzve në sulmet ajrore të kryera ndaj vendit të tij, por për këtë përgjegjës janë edhe fuqitë perëndimore të cilat nuk arritën të marrin vendim për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim drejtuar popullit, Zelensky theksoi se po luftojnë tashmë 13 ditë dhe se kanë eliminuar sa kanë mundur pushtuesit.

Ai rikujton se në hapësirën ajrore të Ukrainës fluturojnë qindra avionë dhe helikopterë rusë. “Edhe ata i eliminojmë. Rusia në 30 vitet e fundit nuk ka humbur mjete ajrore aq sa ka humbur gjatë këtyre 13 ditëve në Ukrainë. Por, ata posedojnë ende mjaftueshëm makineri të vdekjes. Kanë ende mjaftueshëm raketa për terror. Kanë bomba 500 kg për të hedhur mbi njerëzit e zakonshëm”, tha Zelensky.

Sipas tij, shteti dhe ushtria ruse janë fajtorë për vdekjen e çdo personi në sulmet ajrore dhe në qytetet e bllokuara në Ukrainë.

“Faji është i pushtuesve që shkelin të gjitha rregullat e luftës dhe eliminojnë në mënyrë të qëllimshme njerëzit, por deri diku përgjegjës është edhe Perëndimi i cili ulet në zyrat e tij dhe 13 ditë nuk ka mundur të marrë vendim për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës”, tha Zelensky duke shtuar se prej 13 ditësh atyre u është premtuar se do të sigurohet mbështetje ajrore dhe se do t’u jepen avionë. /aa