Zelensky: Nuk do t’u përulemi ultimatumeve ruse

Çështja e kompromiseve në negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë mund të zgjidhet me një referendum në të gjithë Ukrainën, tha Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelenski në një intervistë për mediat evropiane.

Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelenski deklaroi se nuk do të mund t’i përmbushin ultimatumet e Rusisë dhe kjo do të jetë e mundur vetëm me shfarosjen e plotë të popullit ukrainas.

Në një intervistë për mediat evropiane, Vladimir Zelenski vlerësoi kushtet e parashtruara nga Rusia për të ndalur luftën që po vazhdon që nga 24 shkurti.

Lideri ukrainas vuri theksin në rezistencën serioze popullore kundër ushtarëve rusë në qytetet e pushtuara.

“Ata thonë: ‘Na jepni Harkovin, Mariupolin dhe Kievin’. Këtë nuk do ta bëjnë as banorët e këtij qyteti dhe as kreu i shtetit. Ultimatumin ne mund ta zbatojmë vetëm kur të jemi zhdukur”,- tha lideri ukrainas.

Vladimir Zelenski tha gjithashtu se çështjet e dakordësuara në negociatat me Rusinë duhet të miratohen me referendum mbarëpopullor në Ukrainë.

Rritet në 8 numri i viktimave nga bombardimi i qendrës tregtare në Kiev
Në deklaratën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës thuhet se në sulmin e natës së kaluar në qendrën tregtare në lagjen Podilskiy të Kievit ka ndodhur një shkatërrim i përmasave të mëdha.

Është konstatuar se ushtria ruse ka kryer një sulm duke përdorur mjete luftarake të ndaluara.

“Sipas informacioneve paraprake kanë humbur jetën 8 persona. Po zbardhet informacioni për të vdekurit dhe të plagosurit. Ekipet e shpëtimit dhe forcat e rendit vazhdojnë punën”,- thuhet në vijim të deklaratës.

Më herët Shërbimet e Urgjencës Shtetërore të Ukrainës kishin njoftuar se 4 persona ishin vranë dhe një person ishte plagosur nga ky sulm.

Gjithashtu është njoftuar se në sulmet e saj ndaj Ukrainës ushtria ruse ka humbur rreth 15 mijë ushtarë, 97 avionë, 121 helikopterë dhe 498 tanke.

Shtabi i Përgjithshëm ukrainas ndau të dhënat për humbjet e ushtrisë ruse nga 24 shkurt deri më 21 mars.

Sipas këtyre të dhënave, janë vrarë rreth 15 mijë ushtarë nga ushtria ruse që ka sulmuar Ukrainën, janë asgjësuar 97 avionë, 121 helikopterë, 498 tanke, 1.535 automjete të blinduara, 240 topa, 80 sisteme raketash dhe 45 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkisnin rusëve.

Forcat ruse kanë humbur gjithashtu 969 automjete, 3 motoskafe të lehta, 60 autobote karburanti dhe 24 mjete ajrore pa pilot (dronë).

Këshilltari i Presidencës Shtetërore të Ukrainës, Aleksey Arestoviç deklaroi se avancimi i Rusisë tashmë është ndalur në të gjitha frontet.

Duke vlerësuar ditën e 25-të të sulmeve ruse në Ukrainë, Arestoviç tha: “Përparimi i Rusisë në të gjitha frontet është ndalur. Pala ruse nuk ka më forcë për ta kthyer këtë kurs.”

Arestoviç argumentoi edhe këtë që kanë filluar të ndjehen edhe presionet kundër personelit ushtarak në Rusi, dhe si pasojë e inspektimeve nga Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse, edhe komandantët e ushtrisë filluan të akuzohen për frikacakë dhe dobësi të karakteri.

Ndërkohë, Mikhail Podolyak këshilltari i Kabinetit të Presidentit Zelenskiy, raportoi se 6 gjeneralë rusë janë vrarë në sulmet e Rusisë në Ukrainë që prej 24 shkurtit.

“Vlen të përmendet shkalla e lartë e vdekshmërisë së oficerëve madhorë të Federatës Ruse”,- shkruan Podolyak në llogarinë e tij në Twitter.

Senatorja ruse Yekaterina Altabayeva deklaroi gjithashtu në llogarinë e saj sociale se zëvendëskomandanti i flotës ruse në Detin e Zi, koloneli Andrey Paliy, u vra në përleshjet në Mariupol.

Në postimin e saj, Altabayeva sjell në kujtesë se Paliy u diplomua në Shkollën e Lartë Politike Ushtarake Detare të Kievit më 1992 dhe se ai refuzoi të bashkohej me ushtrinë ukrainase më 1993 dhe hyri në Flotën Ruse të veriut. Senatorja thotë se koloneli Paliy gjithashtu kishte marrë pjesë në luftën në Gjeorgji në 2008. /trt