Zelensky: Nuk ka negociata përpara tërheqjes së trupave ruse

Volodymyr Zelensky dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa

Pas takimit me një delegacion liderësh nga disa vende afrikane, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kundërshtoi edhe një herë çdo negociatë paqeje me Moskën përpara tërheqjes së trupave ruse.

“Të lejosh çdo bisedë me Rusinë për sa kohë që okupatori është në tokën tonë do të thotë ngrirje e luftës, dhimbjes dhe vuajtjes”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp, në Kiev , sipas agjencisë Interfax-Ukraine.

Zelensky ka kërkuar dëmshpërblime dhe ekstradimin e kriminelëve të luftës pas largimit të trupave ruse, duke përfshirë edhe gadishullin e Krimesë, i cili u aneksua në vitin 2014.

Ai u takua me krerët afrikanë, të udhëhequr nga presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i cili vizitoi Kievin në një përpjekje për të ndërmjetësuar në pushtimin rus gati 16-mujor.

Për këtë, delegacioni afrikan ka planifikuar të udhëtojë sot në Shën Petersburg të Rusisë.

Delegacioni pritet të zhvillojë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.