Zelensky: Perëndimi premtoi avionë luftarakë modernë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shprehu të enjten optimizmin se aleatët e tij evropianë do të ndjekin propozimin për të furnizuar Kievin me avionë luftarakë modernë.

“Sot shumë vende kanë shprehur mbështetje të fuqishme per Ukrainën”, tha Zelensky pas një samiti të 50 liderëve evropianë në Moldavi.

Zelensky theksoi se avionët ishin të nevojshëm kryesisht për mbrojtjen e popullsisë ukrainase nga sulmet ajrore ruse dhe jo për një kundërsulm.

Kievi ka marrë tashmë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe disa avionë luftarakë të prodhimit sovjetik, dhe disa vende evropiane ranë dakord të trajnojnë pilotët ukrainas me avionë modernë.

“Derisa Ukraina të marrë më shumë avionë, Kievit do t’i duhen më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas u kërkoi aleatëve të tij evropianë që të mbështesin Ukrainën me avionë luftarakë modernë dhe sisteme “Patriot”, në një samit të mbajtur në qytetin Bulboaca, rreth 20 kilometra larg kufirit ukrainas.

“Një koalicion i sistemit “Patriot” që do t’i japë fund shantazheve ruse me raketa balistike dhe një koalicion avionësh luftarakë modernë që do të dëshmojnë se janë komponentë vendimtarë”, u tha Zelensky homologëve të tij.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz theksoi rëndësinë e sistemeve të mbrojtjes ajrore të ofruara tashmë nga Berlini.

Scholz nuk përjashtoi dërgimin e sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore në Ukrainë pas samitit.

Zelensky, gjithashtu theksoi gatishmërinë e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO gjatë samitit.

“Ne kemi nevojë për paqe. Kjo është arsyeja pse çdo vend evropian që kufizohet me Rusinë dhe që nuk dëshiron që Rusia t’i copëtojë ato, duhet të jetë një anëtar i plotë i BE-së dhe NATO-s”, tha ai. /atsh