Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha se negociatorët që po punojnë për propozimin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja ende nuk kanë arritur marrëveshje për kontrollin e rajoneve lindore, duke theksuar se Ukraina, SHBA-ja dhe Rusia vazhdojnë të kenë dallime mbi të ardhmen e rajonit të Donbasit, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për Bloomberg të publikuar sot, Zelenskyy ka thënë se disa “çështje të ndjeshme” mbeten ende në diskutim, përfshirë garancitë afatgjata të sigurisë dhe marrëveshjet territoriale që lidhen me Donetskun dhe Luhanskun në Donbas.
“Ekzistojnë vizione të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës — dhe ne nuk kemi një qëndrim të unifikuar për Donbasin”, tha ai, duke shtuar se Kievi po kërkon gjithashtu një marrëveshje të veçantë për garancitë e sigurisë nga partnerët perëndimorë, veçanërisht nga SHBA-ja.
Komentet e tij pasuan deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se ishte “pak i zhgënjyer” me Zelenskyyn dhe pretendoi se lideri ukrainas ende nuk e ka shqyrtuar plotësisht propozimin, ndërsa theksoi se Moska është “në rregull me të.”
Zelenskyy hodhi poshtë çdo sugjerim për tërheqje, duke thënë se duhet bërë më shumë punë për të arritur konsensus.
Lideri ukrainas përsëriti se Kievi pret garanci sigurie me një nivel mbrojtjeje të krahasueshëm me Nenin 5 të NATO-s, i cili thotë se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve do të konsiderohet sulm kundër të gjithëve.
“Ekziston një pyetje për të cilën unë — dhe të gjithë ukrainasit — duam përgjigje: nëse Rusia nis sërish një luftë, çfarë do të bëjnë partnerët tanë”, tha ai.
Zelenskyy mbërriti në Londër për takime me kryeministrin britanik, Keir Starmer, kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron për diskutime të mëtejshme mbi paqen në Ukrainë.


