Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se çështja e çfarëdo marrëveshjeje të mundshme territoriale në kuadër të diskutimeve të vazhdueshme për paqe duhet të vendoset vetëm nga popullin ukrainas, transmeton Anadolu.
“Unë besoj se populli i Ukrainës do t’i përgjigjet kësaj çështjeje, në formatin e zgjedhjeve ose në formatin e një referendumi, por duhet të ketë një qëndrim të popullit të Ukrainës”, u tha Zelenskyy gazetarëve.
Komentet e tij vijnë derisa Kievi vazhdon bisedimet me SHBA-në mbi propozimet që përfshijnë krijimin e një zone “ekonomike të lirë” ose “të demilitarizuar” në pjesë të rajonit të Donetskut, sipas së cilës forcat ukrainase do të tërhiqen ndërsa trupat ruse do të ndalohen të hyjnë.
Sipas agjencisë së lajmeve RBC-Ukraine, Zelenskyy tha se ideja ngre pyetje të pazgjidhura mbi kontrollin, monitorimin dhe mënyrën e parandalimit të infiltrimit rus “nën maskën e civilëve”.
“Ky model nuk është në interes të Ukrainës”, tha ai, duke theksuar se dialogu me partnerët vazhdon dhe se Kievi kërkon “zgjidhje të drejta” bazuar në barazi dhe garanci sigurie.
Ai tha se shumë varet edhe nga performanca e forcave ukrainase në terren, duke shtuar se aftësia e tyre për të mbajtur pozicione dhe për të penguar sulmet ruse formëson procesin diplomatik.
Komentet e presidentin ukrainas vijnë mes diskutimeve për një plan të paqes të mbështetur nga SHBA-ja dhe shtytjes së Washingtonit që Ukraina të mbajë zgjedhje presidenciale.
Zelenskyy ka deklaruar se Kievi është gati për një votim pasi të bëhen ndryshimet ligjore dhe të garantohet siguria.
Javën e kaluar, ai tha se çështja territoriale mbetet çështja “më e vështirë” në negociata.




