Zëvendësministri Pjetër Ndou ende nën hetime për rastin e patentë-shoferëve

Postin e dytë më të lartë në hierarkinë e Ministrisë së Shëndetësisë e mban një politikan që është duke u hetuar për korrupsion.

Zëvendësministri Pjetër Ndou, në vitin 2018 ishte arrestuar për dyshimet se ishte i përfshirë në keqpërdorime me patentë shoferë. Atëkohë Ndou ishte këshilltar i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, raporton KOHA.

Ndou është propozuar për pozitën e zëvendësministrit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Është emëruar nga kryeministri Hoti, e partia të cilës i përket në fushatë zgjedhore kishte premtuar shumë për luftën kundër korrupsion, raporton KOHA.

KOHA e ka kontaktuar zëvendësministrin Ndou. Shkurt ai ka thënë se hetimi ndaj tij është mbyllur.

Se Ndou ende është nën hetime e ka konfirmuar prokurori i rastit, Shkëlzen Ibrahimi. Ai, shkurt, përmes telefonit, i ka thënë televizionit se hetimi është duke vazhduar dhe se ende nuk ka aktvendim për mbyllje, e as aktakuzë.

KOHA pati raportuar për arrestimin e Ndout dhe pesë zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Arrestimet ishin bërë bazuar në dyshimin se 80 persona janë pranuar si ekzaminerë (pyetës) për patentë shoferë në mënyrë të jashtëligjshme nga Ministria e Infrastrukturës, 37 prej tyre të afërt me bizneset e autoshkollave i ka angazhuar për të pyetur kandidatët. Sipas të dhënave të hetuesisë, 37 ekzaminerët nuk kanë marrë asnjë cent nga buxheti publik.

Ata, madje, nuk kanë pasur as kontrata pune. Por, disa nga këta ekzaminerë kanë marrë urdhra nga zyrtarë politikë e zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës se “kujt t’i ndihmojnë që ta kalojë provimin për patentë shofer”.

Masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit kanë shërbyer si fakte që Task Forca Kundër-Korrupsion i ka përdorur për të arrestuar pesë zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës për dyshime për dallavere me patentë shoferë. Zyrtarët e arrestuar kishin qenë nën vëzhgim për rreth 8 muaj.