Zgjedhje apo qeveri të re? Thaçi flet pas takimeve me Kurtin, Mustafën e Veselin

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur pas takimeve që ka mbajtur me liderët politikë, Albin Kurtin, Isa Mustafën e Kadri Veselin për t’u konsultuar për hapat e mëtutjeshëm pas mocionit të mosbesimit.

Thaçi në një konferencë për media ka thënë se pavarësisht situatës së fundit të krijuar në Kosovë me përhapjen e koronavirusit, jeta institucionale duhet të vazhdojë, shkruan lajmi.net.

Ai tha se  nesër do të vazhdojë takimet me liderët tjerë politik, nga ku edhe do të formësoj veprimet e tij të radhës.

“Pavarësisht vështirësive, jeta institucionale në Kosovë vazhdon dhe funksionimi i demokracisë do të vazhdojë. Sot duke respektuar Kushtetutën dhe mandatin tim, pas mocionit të mosbesimit jam i detyruar për të filluar konsultat me partitë politike për hapat e mëtutjeshëm të funksionimit të institucioneve të Kosovës. Sot kam takuar kryetarin e VV-së, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Nesër do t’i takojë edhe liderët tjerë, liderët e AAK-së, Nismës dhe përfaqësuesit e Listës Serbe dhe Gjashtë Plus, në mënyrë që të krijojë një bazë të opinioneve, apo të formësoj veprimet e ardhshme që duhet t’i ndërmarr si president”, tha presidenti.

Tutje, presidenti Thaçi tha se bazë e veprimeve të tij do të jetë respektimi i Kushtetutës dhe praktikat e mëhershme, por duke pasur parasysh edhe mocionin e mosbesimit.

“Bazë e ime do të jetë respektimi i legjitimitetit të plotë të zgjedhjeve të 6 tetorit mirëpo duke marrë parasysh edhe mocionin. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarr do të jenë transparente mirëpo edhe në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me praktikat e mëhershme. Pra do jetë një proces i konsultuar, kushtetues dhe ligjor”, ka thënë presidenti.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që ka pasur sot me presidentin Thaçi ka thënë se zgjedhjet në Kosovë duhet të jenë opsion i vetëm pas mocionit të mosbesimit dhe se çdo alternativë tjetër sipas tij nuk është në përputhje me dispozitat kushtetuese.