Zgjedhjet në veri, partitë shqiptare me dy mendje për pjesëmarrje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të hënën mori vendim që katër komunat veriore: Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave.

Me këtë vendim, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna të Kosovës do të mbahen më 19 maj 2019, shkruan Indeksonline.
Pos, partive serbe, në këto zgjedhje do të garojnë edhe partitë politike shqiptare, sikurse edhe herëve të kaluara. Deri më tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatët e saj për zgjedhjet në komunat veriore.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se ditëve në vijim do të vendosin për emrat e kandidatëve.

“LDK do të diskutoj për këtë shumë shpejt dhe do të marr vendim”, ka thënë për Indeksonline, zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa.

As në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk kanë marr vendim a do të kandidojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

“Ende nuk kemi vendosur nëse do të kemi kandidatë dhe kush eventualisht mund të jenë. Kjo duhet të diskutohet me udhëheqjet e degëve tona në veri dhe pas kësaj do të kemi një vendim”, ka thënë shkurt për Indeksonline, Muharrem Nitaj, deputet nga radhët e AAK-së.

Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate ka theksuar se gjatë javës vendosin për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Brenda javës kryesia del me vendim rreth kësaj çështje”, ka potencuar Sherifi për Indeksonline.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vendosur ende a do të garoj në zgjedhje. Rexhep Selimi ka thënë se gjithçka do të bëhet e ditur në mbledhjen e ardhshme.

“Në mbledhjen e ardhshme vendosim për këtë çështje. Komisioner do të dërgojmë ditën e zgjedhjeve, por për kandidat nuk kena marr vendim akoma”, ka theksuar Selimi.

Derisa, Partia Socialdemokrate ka njoftuar se nuk do të hyj në garë për të marr drejtimin e ndonjë komune.

“Nuk do të garojmë në këto zgjedhje”, ka thënë shkurt zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok kanë ardhur pas dorëheqjes në fund të vitit 2018 të kryetarëve: Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq, Zoran Todiq dhe Stevan Vulloviq.

Ata dhanë dorëheqje për shkak të vendosjes së taksës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës.