Zidane përgjigjet rreth një rikthimi të mundshëm të Ronaldos te Real Madridi

Zinedine Zidane u përball me mediat në prag të përplasjes së Real Madridit në La Liga me Elchen dhe u pyet rreth një rikthimi të Cristiano Ronaldos.

E ardhmja e Ronaldos vazhdon të jetë shumë e përfolur, sidomos ditëve të fundit pas eliminimit të Juventusit nga Liga e Kampionëve për sezonin e dytë radhazi në fazën e 1/8-tës.

Ronaldo u tha se mund të largohet për një shifër prej 29 milionë eurosh nga Juventusi, ndërsa u përfolën disa ekipe të mundshme që mund ta transferojnë – ndër to edhe Real Madridi.

Mes thashethemeve të fundit, trajneri i Realit, Zidane u pyet për kthimin e mundshëm të Ronaldos në Real Madrid, ndërsa nuk hezitoi të flas fjalë të mëdha për ish-lojtarin e tij.

“Epo, ju e dini se çfarë do të thotë Cristiano Ronaldo për Madridin, atë që ai ka bërë, dashuria që ne të gjithë kemi për të dhe ajo që ai ka bërë këtu është madhështore”, ka thënë fillimisht Zidane.

“Por, tani ai është një lojtar i Juventusit dhe po bën shumë mirë atje”.

“Unë nuk mund t’ju them asgjë, shumë gjëra janë thënë, por ju duhet t’i respektoni këto gjëra”, përfundoi trajneri i Real Madridit.