Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zjarret në Levan dhe Himarë, digjen banesa dhe evakuohen familje

Zjarret në Levan dhe Himarë, digjen banesa dhe evakuohen familje

Situata më dramatike në zonën turistike të Potamit

Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu mesditën e së premtes në kodrat e Radostinës, në Fier, duke u përhapur më pas drejt zonës së Levanit.

I favorizuar nga era e fortë dhe terreni i vështirë, zjarri përfshiu sipërfaqe me ullinj, shkurre dhe bimësi të ulët, duke iu afruar banesave dhe bizneseve pranë liqenit të Levanit.

Situata u përkeqësua gjatë pasdites, kur flakët hynë në zonat e banuara. Sipas raportimeve nga terreni, u dëmtuan banesa dhe biznese, ndërsa 10 familje u evakuuan për shkak të rrezikut. Tre persona u dërguan për ndihmë mjekësore pasi u asfiksuan nga tymi.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan forca zjarrfikëse dhe të emergjencave civile, tetë mjete zjarrfikëse, dy helikopterë dhe një avion të tipit “Air Tractor”.

Autoritetet kanë nisur gjithashtu hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa një nga pistat e hetimit është edhe mundësia e zjarrvënies së qëllimshme.

Një tjetër natë dramatike përjetoi Himara, ku një vatër e madhe zjarri që kishte nisur në zonat përreth u përhap deri në lagjen “1 Maji” dhe pranë zonës bregdetare.

Flakët rrezikuan dhjetëra banesa dhe struktura turistike, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e një pjese të banorëve dhe turistëve nga zonat e rrezikuara.

Bilanci paraprak flet për gjashtë banesa të djegura, tre prej të cilave të banuara. Nga një prej banesave u shpëtuan dy të moshuar, ndërsa gjatë orëve të para të zjarrit rreth 40 ndërtesa të tjera ndodheshin nën kërcënimin e flakëve.

Për përballimin e situatës në Himarë u angazhuan rreth 300 forca të emergjencave civile nga Himara, Vlora, Finiqi, Delvina dhe Saranda, si edhe 150 efektivë të Forcave të Armatosura. Në gatishmëri u vendosën katër ambulanca, ndërsa situata u monitorua edhe me dron.

Pas rreth katër orësh përballje me flakët, autoritetet njoftuan se zjarri ishte vënë nën kontroll, ndërsa forcat në terren vijuan punën gjatë natës për shuarjen e plotë të vatrave dhe shmangien e një riaktivizimi të tyre. \tesheshi