Zjarret kanë vazhduar të përhapen në jugperëndim dhe juglindje të Francës, ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Laurent Nunez, ka paralajmëruar se situata mbetet “jashtëzakonisht e pafavorshme”, transmeton Anadolu.
“Një tjetër natë e vështirë në frontin e zjarreve. Situata mbetet jashtëzakonisht e pafavorshme”, tha Nunez në rrjetin social amerikan X.
Nunez tha se zjarri në departamentin Gironde, në jugperëndim të vendit, u bë “jashtëzakonisht intensiv dhe i paparashikueshëm” gjatë natës, ndërsa përparonte drejt zonës metropolitane të Bordeauxit.
Ai tha se zjarri ka djegur 42 mijë hektarë, ndërsa numri i përgjithshëm i njerëzve të evakuuar që nga fillimi i zjarrit është rritur në rreth 220 mijë, përfshirë 50 mijë persona të zhvendosur në zona të sigurta gjatë natës në disa komuna pranë Bordeauxit.
Nunez tha se 2.500 zjarrfikës dhe rreth 1.500 pjesëtarë të forcave ushtarake vazhdojnë të jenë të angazhuar, duke shtuar se që nga mëngjesi i së dielës janë aktivizuar 18 mjete ajrore për shuarjen e zjarreve, përfshirë një avion A400M.
Ai gjithashtu tha se një zjarr tjetër në departamentin Landes, në jugperëndim të vendit, ka djegur 3.600 hektarë dhe ka detyruar evakuimin e 36 mijë njerëzve. Edhe pse një përhapje e re e zjarrit u vu nën kontroll të shtunën në mbrëmje, ai paralajmëroi se perimetri i zjarrit mbetet shumë aktiv.
Nunez tha se rreth 3.000 njerëz të tjerë janë evakuuar si masë paraprake në departamentin Var, në juglindje të vendit, ku rikthimi i pritshëm i erërave ka rritur shqetësimet se kushtet mund të përkeqësohen.
Prefektura e Varit në mëngjes tha se zjarri, i cili nisi gjashtë ditë më parë, ka djegur 4.500 hektarë.


