Zoti e shpëtoftë Shqipërinë nga militantët…

Hoxhë Vladimir Kera

Militanti humb gjithmonë, edhe kur fiton. Ai e koncepton fitoren jo si mundësi për zhvillim, por si instrument për dëm. Militanti nuk di as të humbasë, sepse humbjen nuk e kthen në reflektim për veten, por në mallkim ndaj popullit të tij.

Militanti është rob i ngjyrave, jo shërbëtor i qytetarëve. Ai adhuron liderin edhe kur ky gabon, dhe jo vetëm që nuk e kritikon kur lideri dëmton interesin e përbashkët, por e mbron me fanatizëm. Interesi publik nuk ekziston për të; ekziston vetëm partia. Ai nuk ka as aftësinë e as dëshirën për ta kuptuar këtë ndarje, sepse është i verbër.

Madje, edhe Zotin militantët e adhurojnë për inat të djallit. Fenë nuk e përjetojnë si përjetim shpirtëror, por si mjet për të kundërshtuar të tjerët. Për ta, feja është konkurrencë, jo udhë për lartësim moral apo përkushtim shpirtëror.

Militanti është i verbër, edhe kur nuk ka asgjë. Edhe nëse i prishen shtëpitë, nuk ndërtohen rrugët, nuk ka ujë apo drita, ai qëndron pas partisë së tij. Nuk ka arsim, nuk ka shërbime bazë, por ai vazhdon të mbrojë verbërisht partinë që e ka braktisur.

Kur është në opozitë, militanti mallkon çdo njeri: urren qytetarin, përçmon biznesmenin, ka mllef edhe për veten – sepse ka humbur ndjenjën e të qenit qytetar dhe është kthyer në hijen e një ideologjie boshe. Shikon vetëm me sytë e partisë, jo me sytë e arsyes.

Zhvillimi ynë fillon kur të mos kemi militantë, por qytetarë. Njerëz me dinjitet, që vendosin interesin publik mbi atë personal, që shikojnë familjen dhe të ardhmen e popullit të tyre përpara çdo lloj përkatësie politike. Dhe për këtë interes nuk bëjnë kurrë kompromis.

——

Prandaj, kur Martin Luther King u pyet se cila ishte gjëja më e vështirë në lëvizjen kundër skllavërisë dhe diskriminimit, ai u përgjigj:

“Gjëja më e vështirë ishte t’u mbushja mendjen skllevërve se nuk ishin më skllevër.”


Hoxhë Vladimir Kera