ZRRE: Tarifat e reja të rrymës llogariten nga 9 shkurti

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka konfirmuar se tarifat e reja të rrymës do të hyjnë fuqi që nga 9 shkurti i këtij viti.

Fejzullahu në një konferencë për medie, ka theksuar se është detyrë e KESCO-s që ta zbatoj këtë vendim.

“Vendimi hyn fuqi që nga 9 shkurti. Është obligim i KESCO-s që ta zbatoj atë vendim të Bordit të ZRRE-së. Ky vendim i ZRRE-së publikohet në një afat prej 30 ditësh”, tha Fejzullahu, përcjell Telegrafi.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kËh.

Sipas ZRRE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.

“Vendosja e bllok tarifave nuk është diskriminues. Disa nga komentet kanë qenë se a duhet të jetë rritje lineare. ZRRE-ja konstaton se pa një mbështetje nuk mund t’i arrij synimet. ZRRE propozon që blloku të zhvendoset në 800 kWh, me dy tarifa prej 12.5 cent dhe 5.9 cent. Të gjithë konsumatorët komercial dhe të amvisëritë, ZRRE-ja propozon që për 800 kWh të ketë zero rritje”, është thënë nga Departamenti i Tarifave të ZRRE-së.

Pra, konsumatorët mbi këtë bllok do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh, tarifa e lartë do të jetë 6.75 cent e ajo e ulëta prej 2.89 cent.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.