Zvicra dënoi “fuqishëm” masat e miratuara së fundmi nga Kabineti i Sigurisë i Izraelit lidhur me Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në platformën sociale amerikane X, Ministria e Punëve të Jashtme tha se Zvicra “dënon fuqishëm masat e miratuara më 8 shkurt 2026 nga Kabineti i Sigurisë i Izraelit lidhur me Bregun Perëndimor të pushtuar”.
Ajo theksoi se aktivitetet izraelite të vendbanimeve kolone “janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare”.
Ministria shtoi se masat e reja “minojnë zgjidhjen me dy shtete”, e cila, sipas saj, kërkon “dy shtete që jetojnë në paqe dhe siguri brenda kufijve të sigurt dhe të njohur, të bazuar në kufijtë para vitit 1967”.
Sipas raportimeve të mediave, vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalon shitjen e tokës palestineze te hebrenjtë në Bregun Perëndimor, hapjen e regjistrave të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit për dhënien e lejeve të ndërtimit në një bllok vendbanimesh kolone në Hebron nga komuna palestineze te administrata civile izraelite.
Masat do të lejonin gjithashtu shembje dhe konfiskime të pronës palestineze edhe në zonat që administrohen si nga ana civile, ashtu edhe nga ajo e sigurisë nga Autoriteti Palestinez.




