Zyra e Presidentes reagon pas vendimit të ZRRE-së: U morën parasysh pjesërisht komentet tona

Zyra e Presidentes së Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike.

Përmes një komunikate dërguar mediave, thuhet se kjo zyrë shprehë shqetësimin e saj për faktin se vendimi final i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022 ka marrë parasysh vetëm pjesërisht komentet e dërguara nga ZPRK-ja në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.

Në reagim thuhet se edhe pse rritja e tavanit të bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh paraqet progres në krahasim me propozimin fillestar, pasi që do të lehtësoj pjesërisht barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, hezitimi për të rikthyer 3 bllok tarifa siç ka qenë praktika deri më vitin 2017, është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës.

Për më tepër, sipas presidentes, një vendim i tillë do të kontribuonte drejtpërdrejt edhe në krijimin e inventivëve shtesë për investim në masa të efiçiencës se energjisë, e që përfundimisht do të duhej të shndërrohej në objektiv kolektiv në vazhdën e zhvillimeve kombëtare e ndërkombëtare në sektorin e energjisë.

“Vendimmarrja inkluzive dhe vendosja e konsultimit publik në qendër të politikave rregullatore efektive duhet të jetë gjithnjë parimi i marrjes së vendimeve strategjike të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien qytetarëve. Ritheksojmë që për ZPRK, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, i bëjmë thirrje institucioneve relevante të prioritizojnë angazhimin strategjik në këtë drejtim. Përfundimisht, pavarësisht cilitdo skenar final të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, ZRRE-së i bëjmë thirrje që shqyrtimin e radhës të rregullt të tarifave ta bazojë duke u thirr në strukturën e deritashme tarifore dhe jo në rezultatet e rishikimit të jashtëzakonshëm tarifor”, thuhet në njoftim.