Zyrtare: Personat e përfshirë në helmimin e agjentit Skripal, pjesëtarë të inteligjencës ruse

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, pohoi se personat e përfshirë në helmimin e agjentit të dyfisht Sergey Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Salisbury të Anglisë punojnë për shërbimin rus të inteligjencës, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente May i bëri në parlament pak pasi policia britanike zbuloi emrat dhe fotografitë e dy shtetasve rusë të përfshirë në helimin e Skripalit me agjent nervor.

“Qeveria jona ka ardhur në përfundimin se dy personat e identifikuar nga policia punojnë për shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU”, deklaroi May, duke shtuar se kjo organizatë punon me një disiplinë të lartë dhe miratim të autoriteteve të larta të shtetit rus.

Kryeministrja britanike tha se në hetimin e rastit Skripal, 250 detektivë kanë analizuar rreth 11 mijë orë xhirime të kamerave të sigurisë dhe kanë marrë deklarata nga 1.400 dëshmitarë okularë, ndërsa është identefikuar edhe itinerari i dy të dyshuarve, Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, që nga hyrja e tyre në Britani.

May tha se të dyshuarit kishin arritur në Londër më 2 mars dhe kishin qëndruar në një hotel në lindje të qytetit dhe se pas hetimeve në hotel, janë gjetur gjurmë të substancës Novichok të përdorur në helmimin e Skripalit.

Sipas May, të dyshuarit më 4 mars kishin udhëtuar për në Salisbury, ku u realizua helmimi, ndërsa po atë natë janë kthyer mbrapa në Moskë.

– Rasti Skripal

Ish-spiuni rus 66-vjeçar, Sergei Skripal dhe vajza e tij 33-vjeçare Yulia, më 4 mars u pranuan në një spital, pasi u gjetën të pa vetëdije në qytetin jugor Salisbury të Anglisë.

Trajtimi i tyre vazhdoi në shtëpi pas lirimit nga spitali.

Skripal-i u strehua në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi spiunësh në vitin 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai po vuante 13 vjet burgim për përçim informacionesh inteligjencës britanike.

Britania ka thënë se është qartësuar që në helmimin e Skripalit është përdorur një substancë kimike që ndikon në sistemin nervor, e cila pretendohet të jetë prodhuar nga ana e Rusisë.

Substanca në fjalë ishte theksuar të jetë pjesë e grupit kimik “Novichok” të zhvilluar në vitet 70-të dhe 80-të nga ana e Bashkimit Sovjetik.