Zyrtarët amerikanë e turq për anëtarësimin e Finlandës e Suedisë në NATO

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit të SHBA-së, Jake Sullivan, foli të dielën në Stamboll me këshilltarin e presidentit turk Ibrahim Kalin për përparimin në procesin e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Gjatë takimit, Sullivan dhe Kalin diskutuan gjithashtu për dënimin e përpjekjes së Rusisë për të aneksuar ilegalisht territorin ukrainas, shkruan KosovaPress.

Ata thuhet se diskutuan mbështetjen për bisedimet e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në Mesdheun Lindor.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO, por Turqia, një anëtare e NATO-s, e kundërshtoi atë.

Turqia hoqi veton për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, pas marrëveshjes së arritur nga të tri vendet në margjinat e samitit të Aleancës në Madrid, në qershor të këtij viti.

Ankaraja ka kërkuar që këto vende nordike të ndalojnë mbështetjen e grupeve kurde, si Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, dhe të heqin ndalimin e shitjes së disa armëve në Turqi. /euronews