Diplomatja e lartë e NATO-s, Kay Bailey Hutchison, falënderoi Turqinë për dërgimin e furnizimeve mjekësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në mes të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në NATO përmes një postimi në Twitter tha se “solidariteti i NATO-s gjatë kësaj pandemie thekson fuqinë e lidhjes sonë trans-Atlantike”.
Duke dalë në një foto me përfaqësuesin e përhershëm të Turqisë në NATO, Basat Öztürk, Hutchinson shtoi: “Një falënderim shumë i madh për popullin e Turqisë”.
Një aeroplan ushtarak turk që transportonte furnizime mjekësore zbarkoi të martën në SHBA për të mbështetur vendin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit pasi vendi raportoi mbi një milion raste të konfirmuara.
Dërgesa u përgatit nën udhëzimet e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë, ndërsa ndihma mjekësore përfshinte 500.000 maska kirurgjikale, 4.000 kominoshe mbrojtëse, 2.000 litra dezinfektues, 1.500 syze, 400 maska N-95 dhe 500 mburoja të fytyrës, sipas Presidencës së Turqisë.
Turqia ka dërguar gjithashtu ndihmë mjekësore në Spanjë, Itali, Britani të Madhe, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Serbi, Libi dhe Somali.








