Irak, paralajmërohet përshkallëzim i protestave

Protestuesit irakianë në sheshin Tahrir të Bagdadit kanë kërcënuar për hapa më eskaluese në rast se kryeministri që do të caktohet të jetë kundër kushteve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të lëshuar nga aktivistët me qendër në sheshin Tahrir, ata paralajmëruan me bllokime politike të parlamentit në Irak për zgjedhjen e një kryeministri që mund të mos arrijë aspiratat e protestuesve.

Në njoftimin thuhet se ajo që po ndodh prapa skenës nuk pasqyron seriozitetin e klasës politike në adresimin e kërkesave të popullit irakian.

Protestuesit po ashtu kërkuan që presidenti i Irakut, Barham Saleh, të emërojë një kryeministër të pavarur për një periudhë kalimtare gjashtëmujore për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të ndershme bazuar në ligjin e zgjedhjeve në Irak.

Iraku që nga fillimi i tetorit është përfshirë nga protestat masive për kushtet e dobëta të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adel Abdul-Mahdi të japë dorëheqjen.

Sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut, së paku 496 irakianë kanë humbur jetën dhe 17 mijë të tjerë janë lënduar që prej fillimit të protestave më 1 tetor.