BE-ja reagon për takimin e fshehtë në Berlin, komenton përpjekjet e Gjermanisë dhe Francës për dialogun

Një takim i fshehtë u mbajt të mërkurën e kësaj jave në Berlin mes delegacionit kosovar e atij serb.

Lajmi.net kishte raportuar ekskluzivisht për këtë takim, në të cilin delegacioni kosovar ishte prezentuar nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj e Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

E për këtë takim, për herë të parë kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian.Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini nuk ka dhënë detaje lidhur me darkën e fshehtë në Berlin, por ka shtuar se BE-ja i mirëpret përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për rifillimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Ne i mbështesim dhe mirëpresim përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për promovimin e rifillimit të plotë të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Pyetjet rreth takimit duhet t’u dërgohen atyre”, ka thënë Kocijançiq për lajmi.net.

E sipas burimeve të lajmi.net, takimi sekret i Berlinit ka pasur si qëllim fillimin e realizimit të skenarit të Gjermanisë për të imponuar si marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë modelin Gjermano- Gjerman, i cili nuk i siguron njohjen formale Kosovës nga Serbia përkundër kompromisit të dhimbshëm të Kosovës.

Burimet tona konfirmojnë se përkundër progresit të arritur në këtë takim, ende nuk ka ndonjë rezultat konkret dhe se pala serbe përsëri ka kërkuar heqjen e tarifave.Burimet konfirmojnë se të deleguarit e kryeministrit Haradinaj nuk kanë pasur fuqi dhe mandat të vendosin për heqjen e taksës dhe kjo ka shkaktuar reagim të ashpër nga Gjermania dhe Franca. Si rezultat i dështimit të Kosovës për heqjen e taksës, burimet tona konfirmojnë se takimi i paralajmëruar për tu mbajtur në Paris, tashmë është anulur.Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte thënë se për këtë takim i kishte informuar edhe partnerët e koalicionit e edhe akterët tjerë, përfshirë Ekipin Negociator.

Sidoqoftë, një deklaratë e tillë e Haradinajt ndryshonte me atë të bashkëkryesuesit të Ekipit Dialogues, Shpend Ahmeti, dhënë për lajmi.net, në të cilën sqaronte se nuk ka pasur asnjë informacion për një takim të tillë.