Ushtarët izraelitë plagosin dhjetëra palestinezë në kufirin me Gazën

Të paktën 38 palestinezë janë plagosur si pasojë e intervenimit të ushtarëve izraelitë ndaj protestave paqësore të “Marshit të Kthimit të Madh” në Rripin e Gazës nën bllokim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë thuhet se në intervenimin e ushtarëve izraelitë ndaj protestave paqësore janë plagosur 38 palestinezë prej të cilëve 16 me plumba të vërtetë dhe pjesë nga shrapnelë.

Në deklaratë nuk është dhënë informacion të detajuar në lidhje me gjendjen shëndetësore të plagosurve.

Që nga 30 marsi i vitit të kaluar, palestinezët në kufirin e Rripit të Gazës organizojnë protesta paqësore me moton “Marshi i Kthimit të Madh”, me anë të të cilave kërkojnë kthimin në territoret nga ku u dëbuan, si dhe heqjen e bllokadës së Gazës të imponuar në vitin 2006.

Sipas deklaratës së Qendrës për të Drejtat e Njeriut, Al-Mizan, mbi 320 palestinezë janë martirizuar, ndërsa rreth 18.500 të tjerë janë plagosur në ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë ndaj protestave të “Marshit të Kthimit të Madh”.