11 fëmijë vdesin nga shpërthimi i një zjarri në një shkollë në Ugandë

Njëmbëdhjetë fëmijë kanë vdekur si pasojë e një zjarri në orët e hershme të së martës, në një shkollë për fëmijët me shikim të dëmtuar, në Ugandë.

Edhe katër fëmijë të tjerë janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në spital, ka raportuar BBC-ja të martën.

Shkaku i zjarrit në shkollën, e cila ndodhet në lindje të kryeqytetit, Kampala, po hetohet, ndonëse incidente të ngjashme nuk janë të zakonshme.

Një prej shpërthimeve më të këqija të zjarrit në Ugandë ka ndodhur në Shkollën “Buddo Junior” në vitin 2008. Nëntëmbëdhjetë fëmijë kanë mbetur të vdekur në atë incident.

Mendohet se në momentin e zjarrit të së martës, 27 fëmijë ishin brenda objektit të shkollës duke fjetur pasi ishte koha e gjumit.