120 alpinistëve serbë nuk u lejohet ngjitja në Bjeshkët e Sharrit, policia jep detaje

Policia e Kosovës ka anuluar vizitat e alpinistëve në Malet e Sharrit.

Nga policia në Ferizaj kanë bërë të ditur se janë ndaluar vizitat e të gjithë alpinistëve, përfshirë edhe serbëve.

Policia nuk ka dhënë ndonjë informacion shtesë për anulimin e këtyre vizitave, por kanë bërë të ditur se të gjitha kërkesat e alpinistëve nga Serbia dhe Kosova për të vizituar këtë pjesë të Kosovës, janë ndaluar nga policia.

Vendimi i policisë për të mos lejuar alpinistët të vizitojnë Malet e Sharrit mund të zgjasë edhe nesër, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende nga organet e rendit.

Kreu i shoqatës së Alpinizmit “Kopaonik”, Rade Knezevic, ka bërë të ditur se mbrëmë është njoftuar nga Komandanti i Policisë së Kosovës në Shtërpcë, Dragan Ivanoviq, që nuk do t’iu lejohet vizita në Malet e Sharrit.