165 kandidatë për kryetarë të komunave kanë aplikuar në KQZ, certifikimi deri më 1 shtator

Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga 17 qershori deri më 16 gusht ka pranuar aplikacionet e 94 subjekteve politike, prej të cilave 32 parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 4 mijë e 922 kandidatë, prej të cilëve 165 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Po ashtu, ai tha se, “Me qëllim të verifikimit të kandidatëve që duan të certifikohen në garën për kryetar komune apo për kuvende komunale, KQZ-ja do t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, siç janë: Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtes dhe Doganës së Kosovës”.

“Në nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme janë të listuara të gjitha rastet kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat, prandaj do të kërkohet për secilin kandidat, nga secili prej këtyre institucioneve, të bëjnë verifikimin sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë”, theksoi Elezi.

Tutje ai shtoi se, “Komunikimi me këto institucione do të jetë i vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve”.

“Pra, sapo të përgatiten listat e ndonjë subjekti politik, të njëjtat do t’i dërgohen këtyre institucioneve. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, i gjithë ky proces i dërgimit të kërkesave në këto institucione për verifikim të kandidatëve do të përfundojë deri më 23 gusht, ndërsa pranimi i përgjigjeve nga këto institucione deri më 24 gusht”, u shpreh Elezi.

Elezi njoftoi se KQZ-ja do të marrë vendim për certifikimin ose jo të ndonjë subjekti apo kandidati, më së largu deri më 1 shtator.

“Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator. Kjo do t’i hapte rrugë KQZ-së për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim. Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator”, tha Elezi.