19,519 raste aktive me coronavirus në Kosovë, IKSHPK thirrje për respektimin e masave

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon sene total numri i rasteve aktive me coronavirus është 19,519.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 1.861 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.747.841 doza të vaksinës.

Deri më sot 801.524 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Deri më sot janë dhënë 44.143 doza përforcuese dhe 12.200 doza të treta të vaksinës kundër COVID-

Numri i përgjithshëm i të shëruarve është 161.170, ndërkaq nga fillimi i pandemisë nga coronavirusi kanë vdekur 3,000 persona.

IKSHPK një ditë më parë ka bërë thirrje për qytetarët e Kosovës që të respektohen masatnë kohën kur numri i rasteve me coronavirus vazhdon të jetë i lartë.

Në një postim në Facebook, IKSHPK kërkon respektimin e masave antiCOVID-19 si mbajtja e maskës, ruajtja e distancës sociale, mbajtja e higjienës, shmangia e udhëtimeve, të qëndrohet në shtëpi dhe të ajrosen ambientet e mbyllura.

“Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pa vaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”, thuhet në komunikatë.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, IKSHPK bën thirrje në veçanti për kujdes dhe mos grumbullim. Ndërsa, rekomandojnë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Ndryshe, të shtunën, më 22 janar kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese kundër coronavirusit, të cilat do të jenë në fuqi deri më 4 shkurt.

Me masat e reja ndalohet lëvizja e qytetarëve pas orës 22:00, kurse sektori i gastronomisë lejohet të punojë vetëm deri në ora 21:00, transmeton Telegrafi.

Po ashtu, ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë, ndërsa operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve.

Në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy udhëtarë.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit, siç kërkohet me ligjet përkatëse.

Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Bibliotekat, muzetë, kinematë, teatrot, qendrat rinore, qendrat e kulturës me grupe apo institucionet tjera të ngjashme vartëse të MKRS-së apo të Komunave, lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30% të kapacitetit të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse, me kusht që publiku të jetë i ulur në karrige. Obligohet mbajtja e maskës dhe distancës fizike prej një metër në mes të personave.

Mbyllen fitneset, palestrat dhe institucione të tjera për shfrytëzim të publikut për aktivitete sportive dhe rekreative, me përjashtim të klubeve profesionale sportive.