20 vjet pa hoxhë Jakup ef. Asipi

Hoxhë Jakup Asipi (r.a)

Sot bëhen 20 vite nga ndarja nga jeta e Hoxhës tonë të dashur, Jakup ef. Hasipi, nga Sllupçani i Kumanovës.
Një hoxhë me të gjitha tiparet burrërore: familjar i përkushtuar, njeri me moral të lartë, dijetar fetar i palëkundur dhe atdhetar i devotshëm.
Një hoxhë i fjalës dhe i veprës, që ajo që predikonte e jetonte dhe e dëshmonte me shembull personal praktik.
Me përgatitjen e tij të thellë, punën e palodhshme dhe veprimtarinë e gjithanshme, u bë hoxhë i të gjitha trojeve shqiptare.
I lexueshëm, i qasshëm, aktual dhe vizionar, ai arriti të komunikojë me të gjitha gjeneratat, por ai edhe sot jeton mes nesh përmes ligjëratave, mendimeve dhe mesazheve të tij që nuk vjetrohen kurrë.
Veprimtaria e tij ishte shumëdimensionale: fetare, arsimore, shoqërore dhe kombëtare.
Armikut dhe armiqve u qëndroi stoik me dije, por edhe me pushkë, duke qenë ndër themeluesit e celulave të Ushtrisë Çlirimtare në zonën e tij, por jo vetëm. Ai dëshmoi se feja dhe atdheu nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por ecin krah për krah.
Kudo që shkoi, la gjurmë të mira, shembull të ndershmërisë, guximit dhe përkushtimit.
Mbetet model frymëzimi për shumë të rinj dhe kolegë, një figurë që i mungon kohës sonë, por që nuk harrohet kurrë.
Zoti i Madhëruar, inshaAllah, ia pranoftë të gjitha veprat e hajrit, ia shpërbleftë mundin dhe sakrificën, dhe ia dhëntë Xhenetin Firdeus.
Kujtimi për Hoxhë Jakup Hasipin do të jetojë sa të ketë besim, dije dhe dashuri për atdheun.

Hoxhë Fidaim Fazliu,
07.01.2026
Kosovë!