Në 21 komuna të Kosovës sot zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto 21 komuna është 1 milion e 260 mijë e 571 votues. Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Për personat me aftësi të kufizuara mbetet sfidë pjesëmarrja në zgjedhje
Kryetari i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesi i Shoqatës së të Verbërve, Bekim Krasniqi, kanë deklaruar se personat me aftësi të kufizuara e kanë sfidë të madhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
Ata thanë se infrastruktura nuk është e duhura për lehtësim të pjesëmarrjes në votim dhe se Kosova është larg përmbushjes se të drejtave për personat me aftësi të kufizuara.
“Personat me aftësi të kufizuar duan të jenë të barabartë, ata e kanë të pamundur të marrin pjesë në zgjedhje. Në Kosovë vlerësohet nga OBSH-ja se mund të jenë rreth 15 për qind e popullatës me çfarëdo kufizimi, përfshirë edhe të moshuarit”, ka deklaruar Maliqi.
Përfaqësuesi i të Verbërve, Bekim Krasniqi, theksoi se nga 2009-ta, KQZ-ja ka aplikuar mjetet ndihmëse për personat e verbër, përmes alfabetit Brail.
“Deri në 2009-n kam votuar me asistencë të dikujt, ndërsa ky lloj shablloni e ka bërë të pavarur votimin dhe e ruan konfidencialitetin e votës”, deklaroi ai.
Maliqi ka përmendur se shtatë persona deri më tani e kanë paditur shtetin për diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuar, mirëpo sipas tij, ende nuk ka vendim për shkak të procesit të ngadaltë gjyqësor.
21 raste të dyshimta për keqpërdorim gjatë procesit zgjedhor
Policia e Kosovës ka njoftuar se deri në ora 16:00 janë pranuar 21 raste të ndryshme, prej tyre: 7 raste të grumbullimit në afërsi të qendrave të votimit, 5 fotografim të votës, 2 blerje të votës, 1 kanosje, 1 bezdisje e qytetarëve, 1 ndërhyrje në votim, 1 fjalosje në qendër të votimit, 1 falsifikim i dokumentit të bexhit, 1 person i dehur në qendër të votimit dhe 1 rast i mosmarrëveshjes në qendër të votimit.
Sipas një komunikate drejtuar mediave, Policia njofton se tri raste janë hapur, 1 në Junik, 1 në Pejë dhe 1 në Vushtrri.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit. Andaj, Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”, thuhet në njoftimin policor.
16:16 – Në Prishtinë, deri në orën 15:00 votuan mbi 53 mijë qytetarë
53 mijë e 205 është numri i qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën për votë në Prishtinë deri në orën 15:00, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së për rundin e balotazhit.
Kjo paraqet rënie prej 2500 votash në krahasim me rundin e parë, për të njëjtën periudhë kohore.
15:49 – Në Gjakovë deri në ora 15:00 ka votuar 21.51 për qind e trupës votuese
Rexhep Krasniqi
Deri në ora 15:00 në Komunën e Gjakovës kanë votuar 24 mijë e 337 votuesë, apo 21.51 për qind e trupës votuese të kësaj komune.
Kështu ka bërë me dije për KOHËN Amir Rexhaj kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor të Gjakovës.
Krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të raundit të parë që u mbajt më 17 tetor është rreth 3 për qind më pak. Rexhaj ka bërë me dije se më 17 tetor përqindja e daljes në zgjedhje deri në ora 15:00 ka qenë 24.31 për qind.








