Të paktën 25 emigrantë dyshohet se kanë vdekur në Ishujt Kanarie të Spanjës, derisa ishin duke tentuar të kalonin detin.
Policia spanjolle ka njoftuar se bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve, disa emigrantë kanë rënë në det nga anija në të cilën ishin, ndërsa 48 persona arritën të mbijetojnë dhe kanë mbërritur në ishullin spanjoll El Hierro, raportoi “Euronews” të enjten.
Anija e emigrantëve besohet se është nisur nga Nouakchotti i Mauritanisë, shtet afrikan.
Sipas raportit të policisë spanjolle, rreth 75 persona, përfshirë disa fëmijë, janë larguar nga Mauritania më 19 mars.
Tre nga emigrantët që mbërritën në breg janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë qenë organizatorë.
Spanja mbetet një nga pikat kryesore për emigrantët që përpiqen të arrijnë në tokën evropiane në forma të jashtëligjshme. Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, gjithsej 5,552 emigrantë kanë arritur në Ishujt Kanarie që nga 1 janari deri më 15 mars të këtij viti. /koha








