Ballina Lajmet Rajon dhe Botë 32 vjet nga masakra në tregun e Sarajevës, një nga krimet më...

32 vjet nga masakra në tregun e Sarajevës, një nga krimet më të rënda të Luftës së Bosnjës

Kanë kaluar 32 vjet nga sulmi ndaj tregut “Markale”, në Sarajevë, që konsiderohet një nga sulmet më të përgjakshme të Luftës së Bosnjës (1992-1995) dhe që mbetet thellë e gdhendur në kujtesën kolektive, raporton Anadolu.

Në tregun e njohur si “Markale”, i vendosur në qendër të kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës, teksa civilët po bënin pazar, forcat serbe që kishin rrethuar qytetin hodhën predhë mortaje. Si pasojë e sulmit, 68 persona humbën jetën dhe 144 të tjerë u plagosën.

Forcat serbe ngritën barrikadat e para më 5 prill 1992 në Sarajevë, e cila në kohën e luftës u shndërrua në një skenë të një prej luftërave më të dhimbshme të historisë moderne. Më 6 prill u hodh predha e parë, ndërsa qyteti mbeti nën rrethim për 1.425 ditë.

Sarajeva, e njohur si një nga qytetet më të bukura të Ballkanit për të cilin janë shkruar poezi e këngë, qëndroi nën sulme dhe rrethim serb deri më 29 shkurt 1996.

Gjatë gjithë rrethimit, forcat serbe bombarduan shumë objekte që. Snajperistë serbë, të pozicionuar në kodrat përreth dhe në ndërtesa të larta, nuk kursenin as gratë, fëmijët dhe të moshuarit që përpiqeshin të vazhdonin jetën e përditshme.

Serbët shpesh qëllonin me mortaja mbi civilët, herë teksa prisnin në radhë për bukë, herë teksa bënin pazar.

Më 5 shkurt 1994, qytetarët që po bënin pazarin e përditshëm u goditën me predhë mortaje. Në këtë sulm në Markale, i njohur si “masakra e parë e tregut”, u vranë 68 persona dhe u plagosën 144 të tjerë. Në një sulm të dytë në të njëjtin vend më 28 gusht 1995, u vranë 43 civilë dhe u plagosën 84 të tjerë.

Masakrat në treg, të cilat tronditën opinionin publik botëror, mbetën në histori si ndër sulmet më të njohura të Luftës së Bosnjës.

– Një nga vendet më të vizituara pas luftës

Gjatë Luftës së Bosnjës, banorët e Sarajevës u përballën me zjarr snajperësh, granatime artilerie, mungesë ushqimi dhe uji gjatë rrethimit 1.425-ditor. Edhe nevojat më bazike, si shkuarja në treg, bartja e ujit apo blerja e bukës, u kthyen në veprime me rrezik për jetën.

Masakrat në treg simbolizojnë ndikimin shkatërrues të rrethimit të gjatë mbi civilët. Ekspertët theksojnë se zgjedhja e qëllimshme e një tregu të mbushur me njerëz synonte të përhapte frikë dhe panik në mesin e popullsisë civile.

Edhe pse kanë kaluar 32 vjet nga sulmi i parë, pllakat përkujtimore dhe shenjat në treg ruhen për të mos u harruar ngjarjet dhe për t’ua transmetuar brezave të ardhshëm.

Masakra konsiderohet gjithashtu si një pikë kthese e rëndësishme që bëri që Lufta e Bosnjës të marrë më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe i hapi rrugë një roli më aktiv të NATO-s.

Në Markale, një nga vendet më të vizituara të qytetit, çdo vit më 5 shkurt organizohen ceremoni përkujtimore shtetërore për viktimat.

– Disa nga përgjegjësit u dënuan me burg

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë vërtetoi me prova se sulmet ndaj tregut u kryen nga njësitë serbe. Një nga përgjegjësit, komandanti serb i Bosnjës Dragomir Millosheviq, u dënua me 29 vjet burg.

Një tjetër ish-komandant serb, Stanisllav Galiq, i cili u gjykua në Hagë për rrethimin e Sarajevës dhe krimet kundër njerëzimit gjatë rrethimit, u dënua me burgim të përjetshëm.

Gjatë luftës në vend, në Sarajevë humbën jetën 11.541 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë.