5 persona të prekur me koronavirus janë në dializë, kjo është gjendja e tyre

Në Klinikën Infektive janë pesë pacientë me dializë të cilët janë të infektuar me COVID-19.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar 33 pacientë të prekur me koronavirus nga 855 sa janë gjithsej të prekur me këtë virus në vendin tonë, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit të QKUK-së në Klinikën Infektive në mesin e këtyre pacientëve janë edhe pesë prej tyre që kanë sëmundje kronike të veshkave dhe janë në dializë.

Klinika Infektive po ashtu ka bërë të ditur se për këta pacientë dializa është duke u realizuar në repartin e kësaj klinike.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Në klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), sot me datë 05.05.2020, janë hospitalizuar gjithsej 33 raste me Covid-19 pozitiv, ndërsa sot lirohen 2 pacientë të shëruar nga infeksioni me Covid -19.

Gjendja e pacientëve të sëmurë me Covid -19 është si vijon:

Nga 33 pacientë me Covid-19, 26 raste janë në gjendje stabile, 5 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në mjekimin intensiv të klinikës janë duke u trajtuar dy pacientë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive.

Që të dy pacientët kanë sëmundje kronike të veshkëve dhe janë në dializë.

Në klinikë janë gjithsej 5 pacientë Covid- 19 pozitiv të cilët janë në dializë e cila është duke u realizuar në repartin e klinikes.

Raport i hartuar nga Dr. Sadije Namani,

specialiste-infektologe, Klinika Infektive, QKUK.