
Në një ndërhyrje të rrallë dhe të koordinuar, 55 ish-diplomatë zviceranë i kanë drejtuar një letër të hapur ministrit të Jashtëm Ignazio Cassis, duke i kërkuar që Zvicra të marrë një qëndrim më të vendosur dhe publik ndaj krizës humanitare në Gaza, dhe që politika e saj të përputhet me të drejtën ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Letra, të cilën Anadolu e ka parë të hënën, kritikon “diskrecionin e papranueshëm” të Bernës përballë krimeve të supozuara të luftës të kryera nga Izraeli.
Ish-diplomatët kërkojnë një ndryshim të thellë në politikën zvicerane, duke paralajmëruar se në lojë është besueshmëria dhe koherenca e saj. Duke cituar paralajmërimin e OBSH-së se “dy milionë njerëz po vuajnë nga uria” për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite, letra përshkruan bombardime sistematike, zhvendosje të detyruara dhe shkatërrim të infrastrukturës jetike – përfshirë atë shëndetësore, arsimore dhe të strehimit.
Edhe pse Zvicra ka bërë thirrje për armëpushim, qasje humanitare të sigurt dhe lirimin e pengjeve, ish-diplomatët argumentojnë se këto qëndrime janë të pamjaftueshme pa veprime konkrete.
“Sulmi terrorist i Hamasit më 7 tetor nuk mund të justifikojë apo të shfajësojë krimet e vazhdueshme të luftës nga Izraeli,” thuhet në letër.
Ata i bëjnë thirrje Zvicrës të refuzojë planin izraelit për dëbimin e popullatës civile nga Gaza dhe ripushtimin e territorit, duke e cilësuar si një akt të spastrimit etnik dhe një proces gjenocidal, në përputhje me akuzat e ngritura nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Letra kërkon gjithashtu:
Lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë të ndaluar pa gjyq;
Ndërprerjen e bashkëpunimit me Gaza Humanitarian Foundation (GHF), një fondacion me bazë në Gjenevë, që nuk respekton rregullat e OKB-së për neutralitetin dhe transparencën;
Njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës brenda kuadrit të një zgjidhjeje me dy shtete, siç kanë bërë tashmë 148 shtete anëtare të OKB-së;
Mbështetje për zgjidhje politike në konferencën ndërkombëtare që do të mbahet në Nju Jork, e bashkëkryesuar nga Arabia Saudite dhe Franca;
Pezullimin e bashkëpunimeve shkencore dhe akademike që kontribuojnë në shkeljen e së drejtës ndërkombëtare;
Zamrimin e lidhjeve financiare dhe investuese me sektorët ushtarakë dhe të inteligjencës izraelite;
Ndalesë hyrjeje për individët nën urdhër-arrest të Gjykatës Penale Ndërkombëtare ose të dënuar për dhunë nga kolonët;
Etiketim të qartë të origjinës së produkteve izraelite të importuara – si fruta, perime apo verë – për të identifikuar mallrat që vijnë nga vendbanimet.
“Jemi të tronditur nga heshtja, pasiviteti dhe diskrecioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zvicrës,” shkruajnë nënshkruesit.
“Zvicra duhet të dalë nga kjo heshtje e papranueshme dhe të veprojë.”
Firmëtarët përfshijnë ish-ambasadorë, të dërguar specialë dhe përfaqësues të OKB-së si: Paul Seger, Tim Guldimann, Didier Pfirter, Jean-Daniel Ruch, Philippe Welti, Gérard Stoudmann, Jean-Daniel Vigny, François Barras dhe Thérèse Adam. /mesazhi



