8 vjeçar në kohë lufte, Gjykata Speciale e fton si dëshmitar të paraqitet në Hagë

Qytetari Fahri Fazliu ka njoftuar se është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit.

Fazliu përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ftesën e ka pranuar të martën pasdite, ndërsa më 23 qershor i është kërkuar të paraqitet në Hagë.

“Të nderuar miq, shokë, dashamirë dhe kolegë! Dje pasdite më ndodhi diçka shumë e çuditshme dhe e papritur – mora Ftesën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të paraqitem në Hagë, me 23 qershor 2021, në cilësinë e dëshmitarit. Unë në luftë isha vetëm 8 vjeç. #LiriakaEmërUÇK.🇦🇱”, ka shkruar Fazliu në Facebook.

Ndryshe, Fahriu Fazliu është nipi i dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu, nga Llausha e Podujevës. Dëshmori Fahri Fazliu, ra më 2 nëntor të vitit 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut, ndërsa më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi bie heroikisht Bahri Fazliu.