Ballina Kuriozitete Barrierat koralore, mrekulli e natyrës nënujore

Barrierat koralore, mrekulli e natyrës nënujore

Një botë nënujore plot ngjyra vibruese dhe krijesa të mrekullueshme. Mund të konsiderohen stolitë më të bukura që Toka dhe Natyra ofron.

Ky është mjedisi i barrierave koralore, ekosisteme që zhvillohen falë organizmave shumë të vegjël, që quhen polipe koralore, që punojnë papushim për të krijuar skelete kalciumi që më pas bëhen dhe janë koralet që ne njohim. Por jo vetëm koralet, nën magjinë e ujërave të kristalta, jetojnë në harmoni edhe alga të vogla, që i ndihmojnë të prosperojnë e të rriten.

Barrierat koralore, përveç se janë shtëpi e një variacioni të pafund krijesash detare, kanë edhe një rol thelbësor në ekuilibrin e oqeaneve.

Në çdo cep të planetit tonë të jashtëzakonshëm, mund të eksplorohen barrierat shumëngjyrëshe koralore, si në Maldive, apo Hawaii, e ku padyshim më madhështorja është ajo që gjendet në brigjet e Australisë, Barriera e Madhe Koralore.

Ky kompleks është një pasuri e jetës detare e pakrahasueshme, me 3 mijë sisteme të ndryshme dhe 900 ishuj, duke u shtrirë në Oqeanin Paqësor për rreth 2300 km, duke përfshirë një sipërfaqe prej rreth 350 mijë km². Është një ndër atraksionet turistike më të mëdha në botë, gjithashtu një ndër vendet dhe një ndër 7 mrekullitë natyrore të Planetit Tokë.

Mund të admirohet nga hapësira dhe është struktura më e madhe e krijuar nga miliarda organizma të gjallë. Ka një biodiversitet të pakrahasueshëm, ku aktualisht njohim rreth 1 mijë e 500 specie peshqish dhe 50 shpendësh, e një pasuri të madhe të jetës vegjetale dhe kafshëve detare. Për këtë arsye, që prej vitit 1981 është shpallur Trashëgimi e Njerëzimit dhe një pjesë e madhe e saj është e mbrojtur, për të kufizuar impaktin human, si pasojë e turizmit masiv.

Pjesa më e madhe e barrierave koralore janë krijuar në tokë pas epokës së fundit akullnajore, duke i bërë që të kenë një moshë më pak se 10 mijë vjeçare. Që në krye të herës, u krijuan larg platformave kontinentale, përreth ishujve oqeanikë, shumica e të cilëve janë me origjinë vullkanike.

Barrierat koralore ose shkëmbinjtë e koraleve janë biondërtime detare tipike të ujërave bregdetare të oqeaneve dhe deteve tropikale. Koralet riprodhohen në dy forma, seksuale por edhe aseksuale. Këto mjedise janë unike, ku koralet e kalcifikuara në simbiozë me algat janë djepi i një biodiversiteti të shumëllojshëm për mjaft specie të tjera.

Gjithashtu barrierat koralore krijojnë edhe ishuj e laguna në dete të thella, duke modifikuar si tabanin ashtu edhe brigjet, që zakonisht janë tipike me rërë shumë të hollë, fryt i erozionit detar mbi koralet.

Pavarësisht se këto struktura janë tejet të mëdha në sipërfaqe, zënë vetëm 0.1% të fundit apo tabanit oqeanik, por ama janë streha e 25% të të gjithë specieve detare të planetit tonë.

Këto formacione masive koralesh kanë shumë nevojë për dritën e diellit dhe kjo është arsyeja pse ndodhen pothuajse të gjitha në brezin tropikal dhe subtropikal, pasi e kanë të nevojshme për funksionet fotosintetike. Koralet rriten deri ku arrin drita e diellit, pra nën sipërfaqen e ujit mund të arrijnë një thellësi prej 15–25 m, me një maksimum në disa raste prej 40-50 m. Pa dritën e nevojshme, fotosinteza nuk mund të kryhet duke sjellë reduktim të kapacitetit të koraleve për të kryer ndërtimin dhe kalcifikimin e tyre. Me dritën është e lidhur natyrisht edhe temperatura, që zakonisht duhet të jetë konstante, mesatarisht 20 gradë Celsius, e mund të suportojnë deri në 32 gradë Celsius.

Në Mesdhe, Amerikë, Afrikë, koralet nuk krijohen e nuk rriten, pasi klima nuk e lejon, nga prania e rrymave të ftohta detare, me temperaturë shumë poshtë 18 gradë Celsius.

Në vitin 2016, barriera e madhe koralore pësoi një zbardhim masiv, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe fenomenit El Niño, që rriti me 4 gradë temperaturat. Kjo solli pasoja shkatërruese, duke u bërë shkak i vdekjes së 20% të koraleve, ndërsa në zona më veriore u zhdukën rreth 2/3 e formacioneve koralore.

Barrierat koralore janë burim jete, diversiteti dhe habitat i shumë specieve, duke u vendosur në vend të parë për pasurinë e formave të jetës. Gjithashtu janë forma mbrojtjeje për brigjet dhe burim ushqimi për njeriun. Por jo vetëm, koralet ndikojnë mjaft edhe tek ekonomia e turizmit dhe përllogaritet që vlera që gjenerojnë në nivel global të jetë rreth 300 mld $ në vit.