Ballina Lajmet Kosovë Kosova kryeson Ballkanin për rritjen e investimeve të huaja direkte – Serbia...

Kosova kryeson Ballkanin për rritjen e investimeve të huaja direkte – Serbia bie 51 për qind

Kosova ka shënuar rritjen më të madhe të investimeve të huaja direkte (IHD) në Ballkan gjatë vitit 2025, krahasuar me 2024-n, duke u renditur e para në rajon me +30%.

Sipas një përmbledhjeje rajonale të flukseve të IHD-së për vitin 2025, Kosova ka tërhequr rreth 1.03 miliardë euro, me rritje vjetore prej 30%.

Pas saj renditet Sllovenia me 1.44 miliardë euro dhe rritje +19%, ndërsa Mali i Zi ka shënuar 531 milionë euro me rritje +8%.

Në anën tjetër, disa vende kanë pësuar rënie të theksuar.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar tkurrjen më të madhe, me vetëm 468 milionë euro dhe rënie -61%, ndërsa Serbia ka shënuar 2.278 miliardë euro, por me rënie të fortë -51% krahasuar me vitin paraprak.

Rënie të ndjeshme ka pasur edhe Kroacia, me 2.63 miliardë euro IHD, por me rënie -37%.

Ndërkohë, Shqipëria ka shënuar rritje të lehtë prej +3%, me flukse prej rreth 1.634 miliardë euro.

Për Bosnjë e Hercegovinën, të dhënat në grafik paraqiten vetëm për periudhën T1–T3 2025, ku raportohen 537 milionë euro, me rënie -25%.

Lëvizjet tregojnë një vit me kontraste të forta në rajon: disa ekonomi po tërheqin më shumë kapital të huaj, ndërsa të tjerat po përballen me rënie të mprehtë të hyrjeve.