Ballina Artikuj Atë që ne e quajmë monotoni, për dikë është ëndërr.

Atë që ne e quajmë monotoni, për dikë është ëndërr.

Hoxhë Halil Avdulli

Allahu i Madhëruar thotë në suren Lukman:
“Ai ju ka mbuluar me begatitë e Tij, të dukshme dhe të padukshme.”
Këto begati të padukshme janë siguria që nuk e sheh, shëndeti që nuk e ndjen derisa ta humbësh dhe stabiliteti që e merr si të mirëqenë.
Ne shpesh ankohemi nga rutina, nga përsëritja e ditëve dhe nga trafiku i përditshëm.
Por e vërteta tronditëse është kjo: kjo mërzi nga e cila ankohesh sot, është ëndrra më e madhe dhe e paarritshme për miliona njerëz që jetojnë në zona lufte dhe fatkeqësish.
Të flesh i qetë dhe të mos zgjohesh nga zhurma e një shpërthimi, për ty është diçka e zakonshme; për të tjerët është një parajsë e humbur.
Këtë të vërtetë të madhe e përmblodhi Profeti (paqja dhe bekimi qofshin mbi të) me fjalë që peshojnë sa e gjithë bota:
“Kush zgjohet i sigurt në vendin e tij, i shëndetshëm në trupin e tij dhe ka ushqimin e ditës, është sikur i është dhënë e gjithë bota.”
Nëse je lodhur nga rutina jote, kujto ata që kanë humbur gjithçka në një moment.
Merr frymë thellë dhe falënderoje Allahun për begatinë e jetës së zakonshme.
Sepse falënderimi është rojtari i begative:
“Nëse falënderoni, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë.”

Hoxhë Halil Avdulli