Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, në një takim të fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e sigurisë në rajon.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen “jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjatë takimit, është diskutuar bashkëpunimi i ngushtë mes Kosovës dhe SHBA-së, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe procesin e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Kryeministri Kurti ka vlerësuar se prania e NATO-s në Kosovë, si dhe angazhimi amerikan në kuadër të saj, mbeten vendimtare për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Ai ka theksuar gjithashtu se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO do të përbënte një garanci afatgjatë për sigurinë në Ballkan.
Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Kurti ka deklaruar se ajo mbetet e brishtë, duke përmendur si faktor ndikues politikën e Serbisë, e cila sipas tij mbështetet nga Rusia dhe Kina dhe ndjek një qasje hegjemoniste në rajon.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për armatosjen e Serbisë dhe blerjet ushtarake nga vende si Rusia dhe Kina, të cilat, sipas tij, paraqesin rrezik për stabilitetin afatgjatë dhe fqinjësinë e mirë në rajon.
Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur edhe ekzistencën e bazave të përparuara operacionale pranë kufirit me Kosovën, duke i cilësuar si element shqetësues për sigurinë rajonale








