Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Çmimet e energjisë rriten sërish pasi pasiguria për armëpushimin SHBA-Iran rikthen frikën...

Çmimet e energjisë rriten sërish pasi pasiguria për armëpushimin SHBA-Iran rikthen frikën për furnizimin

Çmimet e energjisë janë rritur pasi pasiguria rreth një armëpushimi të brishtë mes SHBA-së dhe Iranit dhe perspektiva për rifillimin e bisedimeve ngritën shqetësime të reja për ndërprerje të furnizimit global, transmeton Anadolu.

Nafta Brent arriti rreth 98.50 dollarë për fuçi rreth orës 18:40 GMT, ndërsa referenca amerikane West Texas Intermediate u rrit në rreth 89.60 dollarë.

Çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën gjithashtu me 8,2 për qind, me kontratat TTF që arritën rreth 43.7 euro (51.3 dollarë) për megavat-orë, ndërsa tregjet reflektonin një rrezik më të ulët për ndërprerje më të thella të furnizimit.

Rritjet erdhën pasi tregjet rishqyrtuan rrezikun se diplomacia mund të dështojë për të siguruar zgjatjen e armëpushimit dyjavor, i cili pritet të përfundojë nesër me kohën e Washingtonit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se armëpushimi është shkelur “shumë herë” nga Irani dhe sinjalizoi se zgjatja është “shumë e pamundur” nëse nuk arrihet një marrëveshje paraprakisht.

Dyshime shtesë u shfaqën pasi nisja e planifikuar e një delegacioni amerikan drejt Pakistanit për një raund të dytë bisedimesh ballë për ballë me Iranin sot u shty për shkak të “takimeve shtesë politike” në Washington.

Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Neë York Times, zv/presidenti amerikan, JD Vance, i cili pritet të udhëtojë në Islamabad, qëndroi në Washington për të marrë pjesë në takimet në Shtëpinë e Bardhë. Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë i cituar nga Washington Post tha se nisja u shty për shkak të “takimeve shtesë politike” që përfshijnë zv/presidentin Vance, pa dhënë një afat të ri.

Më herët, Pakistani tha se vendimi i Iranit për të marrë pjesë në bisedime mbetet i paqartë.

“Përgjigjja zyrtare nga pala iraniane për konfirmimin e delegacionit për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Islamabad ende pritet”, shkroi ministri i Informacionit i Pakistanit Attaullah Tarar në rrjetin social amerikan X.

Dy palët zhvilluan një raund të parë bisedimesh të nivelit të lartë në Pakistan në fillim të këtij muaji, por ato përfunduan pa marrëveshje.

Tregjet e energjisë kanë mbetur shumë të ndjeshme ndaj zhvillimeve rreth armëpushimit dhe Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kritike për transportin global të naftës dhe karburanteve, ku çdo shenjë tensioni diplomatik rrit shqetësimet për furnizim më të kufizuar.

Çmimet e naftës fillimisht ranë dhe u stabilizuan rreth 90–95 dollarë, ndërsa kontratat TTF ranë në rreth 38 euro pasi SHBA dhe Irani njoftuan se Ngushtica e Hormuzit ishte hapur javën e kaluar, një situatë që zgjati për një kohë të shkurtër.